Qendra e Studimeve Parlamentare
Ngritja e Qendrës së Studimeve Parlamentare
Zhvillimi dhe demokratizimi i institucionit të parlamentit përbën një nga drejtimet themelore të reformave institucionale në Shqipëri. Ky proces merr një rëndësi të vecantë, duke patur parasysh mënyrën se si është ndërtuar dhe rolin që ka luajtur ky institucion gjatë etapave të krijimit dhe të zhvillimit të shtetit shqiptar.
Anëtarët themelues, duke qenë se kanë punuar si këshilltarë në Kuvend për një kohë të gjatë, vendosen të krijojnë këtë Qendër për të ruajtur dhe zhvilluar traditën pozitive në këtë fushë si dhe për të dhënë një kontribut në praktikat parlamentare.
Qendra është krijuar si një organizatë jo qeveritare, pa qëllime politike. Anëtarët synojnë që nëpërmjet studimeve dhe analizave, duke shfrytëzuar dhe përvojën e perparuar në fushën parlamentare të vendeve të tjera, të influencojnë në mënyrë objektive në procesin e zhvillimit dhe modernizimit të jetës parlamentar
Veprimtaria e Qendrës së Studimeve Parlamentare
Drejtimet bazë të veprimtarisë së Qendrës janë:
* procesi legjislativ dhe procedura parlamentare
* statusi i deputetit
* kontrolli parlamentar
* çështjet që lidhen me ushtrimin e së drejtës elektorale
* pjesëmarrja e publikut në procesin e vendimmarrjes në Shqipëri
* teknika legjislative
* diplomacia parlamentare
* shërbimet parlamentare dhe infrastruktura bashkëkohore në efektivitetin e parlamentit
duke synuar dhënien e rekomandimeve dhe sygjerimeve të nevojshme për përmirësimin dhe zhvillimin e efektivitetit dhe të aspektit demokratik në drejtimet e përmendura më sipër. Gjithashtu, Qendra do të angazhohet në analiza krahasuese të zhvillimeve në fushën parlamentare në vendet e huaja, duke ndjekur në vazhdimësi zhvillimin e kësaj fushe.
Qëllimi dhe objektivat e Qendrës së Studimeve Parlamentare
Qendra ka si qëllim zhvillimin dhe rritjen e efektivitetit në veprimtarinë parlamentare, procesin legjislativ si dhe zhvillimin e demokracisë parlamentare nëpërmjet ndërmarrjes së studimeve dhe kërkimeve, organizimit të akiviteteve dhe trainimeve në këtë fushë.
Për arritjen e këtij qëllimi, Qendra do të tërheqë në veprimtarinë e saj specialiste të kualifikuar, vendas dhe te huajë dhe do të përpiqet të sigurojë mbështetjen e organizatave analoge jashtë vendit, në favor të punës shkencore dhe kërkimore. Qëndra synon botimin e një periodiku në fushën parlamentare. Ajo do të kontribuojë edhe për kualifikimin e studiuesve të rinj të fushës legjislative, duke bashkëpunuar me universitete, institucione, fondacione apo organizma të tjerë, vendas ose të huajë.
Qendra është regjistruar si person juridik në Gjykatën e Tiranës në janar 1999.